Lidheni me facebook Tweet
Articles
“Flutura në kabinën time”, filmi mbi veprën e Dritëro Agollit
Ndërsa nis e shkruan për filmat artistikë shqiptarë, shpesh merr si pikëreferimi edhe emigrantët që jetojnë jashtë, apo përdoruesit aktivë të faqeve të ndryshme në internet për të parë miliona klikime mbi to. Një prej këtyre filmave është edhe "Flutura në kabinën time", prodhim i vitit 1988 me regji të Vladimir Priftit, skenar të Teodor Laços, muzikë të Hajg Zaharjan dhe lojën e shkëlqyer të protagonistëve Luiza Xhuvani e Ndriçim Xhepa. Nuk është vetëm vëmendja e përqendruar në film, sa herë ai shfaqet, por edhe tendenca për të përdorur batutat e jetës së përditshme e ca më tepër guximi për të sjellë grimca të filmit, në kohët e sotme, në pamundësi për të krijuar një gjë autentike, që në fillim. Tom Melgushi (Ndriçim Xhepa) i ekzaltuar nga pija, endet rrugëve duke shqetësuar njerëzit. Një ditë, Flutura (Luiza Xhuvani) mësuesja e fshatit hipën në kamionin e tij dhe në sytë e Tomës shihet një fije shprese për një lidhje të qëndrueshme. Toma bëhet objekt kritikash për aksidentin e Fluturës e cila hidhet nga kabina e trembur nga sjellja e Tomës. Duket sikur portreti i ndrojtur i Xhuvanit në rolin e Fluturës dhe Ndriçim Xhepës në rolin e atij që thyen zemra e nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij, ishin të destinuar të korrnin sukses, jo vetëm në kinema e festivale, por edhe në vëmendjen dhe kujtesën e njerëzve, të cilët më vonë, u mësuan t'i shohin bashkë në një interpretim të vërtetë e real aktorët Xhuvani e Xhepa. Luiza Xhuvani: Pasuria e roleve pas "Fluturës…"
"Flutura në kabinën time" është pa diskutim filmi që zbuloi aktoren Luiza Xhuvani, e cila deri në atë kohë, kishte interpretuar role të vogla, dytësore e episodike, sigurisht vështirë për t'u mbajtur mend. E megjithatë, ky film mbetet oguri i saj i mirë, i cili i solli në karrierë, një sërë filmash të tjerë si protagoniste. U diplomua si aktore në Akademinë e Arteve më 1986, por në Teatrin Kombëtar filloi punën pas një përvoje 2-vjeçare në Estradën e Sarandës. Ende studente, filloi karrierën si aktore filmi me "Dhe vjen një ditë" (Infermierja) dhe "Flutura në kabinën time" (Flutura) të Vladimir Priftit, me të cilin fitoi Kupën për Aktoren më të Mirë në Festivalin e Filmit. Ka bashkëpunuar më vonë me regjisorët Spartak Pecani, Esat Musliu, etj, pa harruar edhe bashkëjetesën profesionale, por edhe familjare me regjisorin Gjergj Xhuvani, me të cilin ka bashkëpunuar në filma si: "Bardhë e zi", "Dashuria e fundit", "Funeral Bussines" etj. Interpretimi i këtyre roleve ka çuar Xhuvanin në një mori festivalesh, ku nga një pjesë e mirë e tyre është kthyer me trofe. Numëron dhjetëra role protagoniste edhe në shfaqjet e vendosura në Teatrin Kombëtar. Ndriçim Xhepa: Dhjetëra role, çmime e trofe
Vjen nga familje artistësh, dhe, edhe pse nëna është zonjë e madhe e teatrit dhe kinemasë shqiptare, në asnjë rast nuk është nxitur nga prindërit për t'u bërë aktor. Dëshira i erdhi natyrshëm, diku në pragun e maturës dhe ndoshta edhe ata vetë nuk e kishin menduar se i biri do të shfaqte interes për artet. Roli i parë i tij ka qenë në teatër, në një dramë simpatike, pas provimit të fundit në vitin '82, me regjisorin Fatos Haxhiraj. Aty ka pasur dhe një bashkëpunim, të cilin e ka cilësuar me të vërtetë shumë të vlerësueshëm nga ana profesionale. Sepse në atë vepër, babai i personazhit qendror të veprës ishte aktori i cilësive të veçanta, Sulejman Pitarka.
Filmi i parë që dha nxitje për punë të mëtejshme ka qenë filmi "Shokët" i xhiruar po në vitin 1982. Kështu që viti '82 ka qenë medaljoni i parë i vlerësimit si aktor. Pra, direkt pas filmit "Shokët" në momentin që është parë në kolektiv, kolektivi krijues ishte goxha i konsiderueshëm në atë kohë, iu ofrua skenari nga regjisori Spartak Peçani i filmit "Koha e largët", të cilën e mori me kinoprovë. Kinoprova zhvillohej midis tij dhe disa aktorëve me përvojë, siç ishin Guljem Radoja, Timo Flloko etj. Pastaj erdhën në seri filmat e tjerë: "Duaje emrin tënd", "Të mos heshtësh", "Telefoni i një mëngjesi", "Flutura në kabinën time", "Kthimi i ushtrisë së vdekur", pastaj vijnë filma të tjerë si: "Dasma e Sakos", "Porta Eva", "I dashur armik", etj. Shpesh herë i ndodh të kujtojë momentet e veçanta që kanë ndodhur në shesh xhirime, por nuk mundet t'i rendisë një për një, për shkak të numrit të madh të filmave e për rrjedhojë të situatave në të cilat i është dashur të interpretojë. Megjithatë disa i sjell në mendje, përfshirë edhe shfaqjen e dhimbjes pasi Toma tek "Flutura në kabinën time" ka pësuar incidentin dhe në familje tek nëna dhe babai që e kanë rritur Tomën, ai përshfaq gjithë gjendjen, gjithë pështjellimin e tij shpirtëror, gjithë atë ngatërresë emocionale që ka brenda vetes. "Flutura…" e mbështetur tek Dritëro Agolli
Ka shumë autorë shqiptarë mbi librat e të cilëve është ndërtuar një skenar filmi. Kështu ka ndodhur edhe me "Zhurmat e erërave të dikurshme" të Dritëro Agollit, mbi të cilin është ndërtuar edhe personazhi i Fluturës tek 'Flutura në kabinën time", edhe pse ka pasur ndërhyrje elegante nga Teodor Laço për skenarin përfundimtar, por edhe nga regjisori Vladimir Prifti, i cili, kur flet për magjinë e kinemasë dhe përfshirjen në çdo karakter të krijuar, kujton se sa shumë devijohet në mënyrën se si i duhet dhënë jetë një personazhi, sa në fund, duket sikur nuk ka asgjë më të ngjashme me personazhin fillestar. "Heroi" i Agollit, me dualitetin e tij shpirtëror aristetolian: Sa reali, i zakonshmi apo normali, po aq ireali, i jashtëzakonshmi apo i krisuri", kërkon pa pyetur ç'thonë të tjerët ta braktisë "kolektivitetin" si një lloj "ngjashmërie" mby-tëse, duke synuar t'i shpëtojë statusit të "masës njerëzore" të asfiksuar brenda vetes. "Toma" i skenarit të Agollit, me portretin e tij, të braktisur së jashtmi, me indiferencën ndaj moralizimeve nga "jashtë", me braktisjen e raportit intim me dispeçen e parkut të automjeteve, kur ky intimitet po merrte "frymë kolektivi" dëshmonte dështimin e plotë me "njeriun e ri" që synonte të formonte apo të kaliste partia në gjirin e kolektivit socialist. Përballë boshit të frikshëm të qenies, si një anomali që po e pengon të gjejë vetvehten, ai ngulmon gjithsesi në vlerësimin dhe pranimin e gjithçkaje nga kjo optikë. Ai nuk shqetësohet për derën e prishur të kamionit, si një vërejtje e shefit të tij, faktikisht njëri nga shkaqet e aksidentimit të Fluturës (Margaritës), sipas moralit të njohur komunist kolektivist të autokritikës revolucionare. Përkundrazi, këtë shqetësim brenda vetes, personazhi kryesor i skenarit të Dritëroit, e ndjen vetëm si mungesë dyshimi, si një dozë e tepruar optimizmi, euforie apo entuziazmi tek vetja.
Gazeta Shqiptare/shqiplive









