Hyrja Shqiplive
Lindi në Shkodër, në janar të vitit 1920. Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Sandër Prosi lindi në një qytet ku u këndua për vite të tëra “Luleborë”. Qysh kur ishte ende në gjimnaz provoi të vishte petkun e njërit prej personazheve të dramës “Vilhelm Tel”, e cila nuk mundi të shfaqej. Pasionin për teatrin e kishte që i vogël kur shkonte në kinema. Aty jepeshin shfaqje nga grupi amator i drejtuar nga Mihal Popi dhe ai përpiqej sadopak që të përshtatej me personazhet që kishin filluar t’i ceknin ëndrrën e tij të madhe, atë të aktorit. Por me sa duket planet që kishte për të familja ishin ndryshe. Niset për studime në Austri në degën stomatologji, të cilat i la përgjysmë. Pasi kishte lënë kujtimet e ëmbla të Austrisë, merr pjesë në konkursin e Teatrit Popullor, ku edhe iu besua roli i parë. Roli i tij i parë ka qenë ai i Shaqir Agës në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës, që u prit mjaft mirë, dhe ku aktori luajti krahas Loro Kovaçit, Mihal Popit, Marie Logorecit etj. Popullariteti i tij si aktor lidhet me karakterin e thellë popullor të artit të tij. Vetitë fizike, trupi i drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij nëpërmjet zërit të veçantë i dhanë këtij aktori përmasat e një aktori të madh që i vjen rrallë skenës shqiptare.
Krijimet e Sandër Prosit në film shënojnë kulme në mjeshtërinë e aktorit. Ishte viti 1961 kur ai mori rolin e parë në film. Ishte personazhi i drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”. Ky do të ishte fillimi, ndërkohë që ai do të spikaste dukshëm duke reflektuar impulset e magjishme të artit dramatik. Me shikimin e thellë, me të folurën e prerë, me zërin e ëmbël ai nuk mund të mos të shfaqte Sandrin e vërtetë, njeriun e natyrshëm që u bë artist i madh. Në filmin “Vitet e para” ai i bëri përshtypje spektatorit për një konkretizim të qartë të personazhit t të Abdylit, duke mbetur në mendje të çdokujt për një kohë të gjatë. Sandër Prosi vdiq atëherë kur mund t’i jepte akoma role të bukura skenës dhe ekranit. U vlerësua me çmime, tituj e medalje, si dhe me titullin e lartë “Artist i Popullit”. U nda nga jeta duke xhiruar metrat e fundit të filmit “Pranverë e hidhur” më 24 mars 1985.
Arti kinematografik i Sandër Prosit
Aktori ka interpretuar me talent të rrallë figurat e mësuesit, doktor Borovës, inxhinier Sharrës, Jaho Labit, etj. Figura e Dhaskal Todrit e interpretuar nga Prosi ka mbetur në kujtesën e publikut shqiptar. Me mjeshtëri të rrallë artistike, interpretoi figurën e Ismail Qemalit. Ai dha një Ismail Qemal të urtë, të mençur, njeriun që rrezaton autoritet, besim e respekt plot ndjenja njerëzore në çdo hap e veprim. Artisti gjithnjë studionte personazhin nga vinte, kujt i përkiste e ç’motive e shtynin. Vëzhgonte imtësitë e botës së brendshme të personazhit. Me një pune titanike njësohej me figurën.
Trofe
Sandër Prosi, edhe pse është konsideruar shpesh si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare, sërish nuk ka marrë aq sa duhet nga shteti. Gjatë karrierës së tij autoriale ai është nderuar me disa çmime, kupa, medalje si dhe me çmime të Republikës. Në ‘75 u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë për rolin e Jaho Labit në filmin “Në fillim të verës”. Sot numëron në mbi 100 role të interpretuara me mjeshtëri në teatër dhe kinematografi, por asnjëra prej tyre nuk mund të përsërisë realizimin e figurës së Ismail Qemalit, e cila u nderua me Medaljen e Festivalit të Pestë dhe me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë. E kush e ka harruar Dhaskal Todrin, i cili është ngjizur aq mjeshtërisht nga Sandri, edhe ky po kaq i vlerësuar nga publiku? Kolegët dhe të afërmit tregojnë se ai krijonte një lidhje të çuditshme me personazhin, duke përftuar në këtë mënyrë ndjesi të tilla që shkriheshin direkt me rolin. Sandër Prosi njihte mirë letërsinë, që shërbente për të zbërthyer mjeshtërisht personazhet, para se ai të vishte petkun e tyre. Galeria e roleve Për më se tri dekada Sandër Prosi krijoi mbi 80 role në teatër dhe kinematografi, të shkëputura këto nga 75 vepra të autorëve të huaj dhe vendas. Klasi i tij autorial bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit. Ata ishin aq të ndryshëm dhe për këtë qëllim u bënë mjaft popullorë dhe të pëlqyer nga publiku. Trupi i drejtë, pamja fisnike, një nur i pa krahasuar skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika, forca e fjalës së tij dhe zëri i veçantë i dhanë këtij aktori përmasat e një artisti të madh të skenës që u gdhend natyrshëm te publiku. Ai luajti në mjaft filma, të cilët padiskutim u cilësuan të suksesshëm. Në se bëjmë një shëtitje të shkujdesur në galerinë e roleve të tij, do të veçojmë filmat: “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Mëngjese lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Në fillim të verës”, “Fijet që priten”, “Përballimi”, “Gjeneral Gramafoni”, “Udha e shkronjave”, “Plaku dhe hasmi”, “Kush vdes në këmbë”, “Detyrë e posaçme”, “Oshëtimë në bregdet”, “Guximtarët”, “Shtigje lufte”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Njeriu me top”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Plumba perandorit”, si dhe shumë të tjerë po kaq të njohur nga shikuesit dhe gjithashtu të pëlqyer. Nderi i kombit Presidenti Topi ka nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” artistin e madh të skenës dhe të kinematografisë shqiptare, aktorin e pakrahasueshëm Sandër Prosin pas vdekjes me motivacionin si personalitet i shquar i skenës dhe i ekranit me kontribute të çmuara në krijimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të artit teatral dhe kinematografik shqiptar. Në 25-vjetorin e vdekjes e në 90-vjetorin e lindjes Topi e pat shprehur se ai ishte një artist i fjalës, një nga më të mëdhenjtë e fjalës shqipe. Fjala për të nuk kishte sekrete, ai ishte i pushtetshëm ndaj saj pikërisht në kohën kur fjala dhe liria e saj kishin marrëdhënien më tragjike në këtë vend. Sandër Prosi ishte një nga kolonat e artit të shtatë në Shqipëri.
Gazeta Shqiptare/Shqiplive
Kerko
Postimet e fundit ne forum
Re: local disc
18/05/2012 15:44, joli
local disc
17/05/2012 18:28, joli
Re: Perkthimet
15/05/2012 23:19, Admin
Perkthimet
15/05/2012 15:19, LauraLaura











